AZHBR hap thirrjen për aplikime Skema Kombëtare 2019

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural hapi thirrjen për aplikime më 23 Prill, nga Programi i Mbështetjes në Bujqësi, për vitin 2019. Drejtore e Përgjithshme e AZHBR, Frida Krifca gjatë fjalës së saj, theksoi rezultatet e programit bujqësor dhe zhvillimit rural  të vitit 2018, duke nxitur fermerët dhe sipërmarrësit rural për të aplikuar në skemat kombëtare 2019, mbështetur nga fonde buxhetore. Në takimin e zhvilluar në Shën Gjergj, ishin të pranishëm zv.ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote, deputetë të qarkut Tiranë, përfaqësues të pushtetit lokal, fermerë dhe sipërmarrës të zonës.

Drejtore e AZHBR Frida Krifca, tha se sot mbështetja është më e prekshme për fermerët dhe agrobizneset nëpërmjet financimeve direkte. Shtimi i fondeve nga qeveria përmes programeve kombëtare dhe IPARD, për sektorin rural, ka rritur interesin për aplikime të reja. Gjatë ditës së parë kanë aplikuar 790 fermerë për subvencione në bujqësi për thirrjen e re të vitit 2019, e cila rezulton tre herë më shumë se vitet e tjera, për numrin e regjistrimeve në një ditë. AZHBR u angazhua plotësisht në 12 takime rradhazi, ku u përfshinë 12 qarqet e vendit, për të informuar fermerët mbi procedurat e aplikimeve në të gjithë Shqipërinë, informacion për 20 Agropikat e reja të përqëndruara në të gjitha qarqet, si dhe proçeduarat e thjeshtuara të aplikimit.

Qeveria ka miratuar kriteret se si do të ndahet fondi i subvencioneve prej 5 milionë eurosh, i miratuar në buxhetin e vitit 2019 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Afro 4 milionë euro do të përdoren kryesisht për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve blegtorale e të peshkimit si dhe uljen e kostove të prodhimit nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara, për dorëzimin e qumështit, açuget dhe sardelet e peshkuara, ndërsa një pjesë do të shkojë për mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

1 milion euro të tjera do të shkojnë si grante për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, dhe do të përdoret për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, për përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit.

Këtë vit fermerët krahas fondit nga skemat kombëtare 2019, përfitojnë financim edhe nga programi IPARD II, thirrja e dytë e të cilit pritet të hapet në muajin Korrik.

Krahas dokumenteve të identifikimit, kriter kryesor është që aplikantët të kenë NIPT-in e fermerit aktiv. Aplikimet për të përfituar nga këto fondet, kryhen online në 20 agropika, 16 Agjenci Rajonale të Ekstensionit Bujqësor  edhe përmes platformës e-Albania, duke u ofruar fermerëve një shërbim cilësor, në kohë dhe pa kosto. Këtë vit masa e dorëzimit të qumështit shikohet me interes të lartë në zonat blegtorale dhe fermerët e këtyre qarqeve kanë shpejtuar të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë. Thirrja do të qëndrojë e hapur prej datës 23 Prill deri më 17 Maj për Masat e Investimeve si dhe 23 Prill deri më 10 Maj për Masat Direkte.