Frida Krifca

Drejtore e Përgjithshme, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural

Frida Krifca ka një përvojë 17-vjeçare në administrim e menaxhim, sa i përket zhvillimit të sektorit financiar, përdorimit të shërbimeve financiare, si dhe zhvillimit të biznesit me fokus në përmbushjen e objektivave ekonomike, ligjore e strukturore kombëtare, ndërkombëtare dhe integruese.

Gjatë punës si drejtore për Shqipërinë në Trupat Vullnetare të Shërbimeve Financiare (FSVC), Krifca ka identifikuar, zhvilluar, menaxhuar dhe zbatuar projekte të shumta të asistencës teknike për programe nga USAID në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit.

Ka menaxhuar buxhete grantesh e programesh disa milionë dollarëshe, me qëllim mbështetjen e zhvillimit të sektorit financiar, përmirësimin e mjedisit të biznesit, financat bashkiake, pagesat nëpërmjet internetit, reformat ligjore e rregullative, si dhe partneritetin publik – privat.

Çdo veprimtari e asistencës teknike është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me institucionet financiare publike e private për menaxhimin e riskut, mbikëqyrjen bankare, hartimin e legjislacionit, rregulloreve e trajnimeve për bankierët, shoqatat bankare e industriale, institucionet mikrofinanciare (MFIs) e ato bankare.

Krifca ka vlerësuar progresin e Shqipërisë kundrejt objektivave të vendosura për reformën financiare, ka hartuar propozimet buxhetore për USAID-in e donatorë të sektorit privat dhe ka qenë bashkautore e raporteve të shumta të fizibilitetit dhe vlerësimit. Gjatë eksperiencës së saj profesionale, ka pasur bashkëpunim institucional me zyrtarë të lartë të qeverisë në nivel qëndror e vendor, komunitetin e donatorëve ndërkombëtarë (Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore) dhe përfaqësues të bankave qendrore, administratën tatimore, autoritetet rregullatore dhe sektorin privat.

Para se t’i bashkohej FSVC-sē, ka punuar për Tirana Bank si Drejtore Marketingu dhe Marrëdhëniesh me Publikun (PR), pas disa viteve përvojë në fushën e menaxhimit dhe strategjive të sektorit privat.

Është diplomuar nga Universiteti i Tiranës në Fakultetin e Ekonomisë, dega Administrim Biznes dhe mban titullin Master i shkencave në Administrim Biznesi (MBA) nga Fakulteti i Administrim Biznesit pranë Universitetit Akron në Ohajo, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes programit të bursave Fulbright që administrohet nga Departamenti i Shtetit amerikan.

email: frida.krifca@azhbr.gov.al