Historiku

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, u krijua në datë 30.12.2008  në bazë të V.K.M. Nr. 1443 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), në Udhëzimin Nr. 3, datë 30.12.2008 të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Ky institucion kryen me rigorozitet ndjekjen dhe zbatimin e ligjit për bujqësinë nr.9817, datë 22.10.2007 të VKM-ve përkatëse “Për përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe masave të përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, si dhe “Për menaxhimin e fondit të mbështetjes për bujqësinë”, të përcaktuara me udhëzime përkatëse.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3 të nenit 21 të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007 “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, dhe të nenit 10 të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave.

VENDOSI:

  1. Krijimin e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), si agjencia e pagesave, në kuptim të nenit 21 të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007 “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”.
  2. AZHBR-ja ka strukturë qendrore dhe struktura vendore, në shkallë qarku.
  3. Drejtori i AZHBR-së emërohet, lirohet ose shkarkohet nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Drejtuesit dhe punonjësit e tjerë të kësaj agjencie, përfshirë edhe ata të strukturave vendore, pranohen sipas proçedurave të përcaktuara në legjislacionin për shërbimin civil. Numri i punonjësve të agjencisë është 86 veta.
  4. AZHBR-ja është përgjegjëse për administrimin e fondeve të programit për bujqësinë dhe për zhvillimin rural, si më poshtë vijon:
    a) Fondet e Buxhetit të Shtetit, për mbështetje të drejtpërdrejtë të prodhimit bujqësor;
    b) Fondet e Buxhetit të Shtetit, për zhvillimin e infrastrukturës së tregjeve bujqësore;
    c) Fondet kundërparti, të projektit 2KR.
    Kriteret e përgjithshme të përdorimit të fondeve kundërparti, të projektit 2 KR, përcaktohen me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.
  5. AZHBR-ja harton planin e veprimit për përafrimin e strukturës organizative dhe të kapaciteteve të saj, menaxhuese dhe teknike, me standardet e akreditimit të BE-së.
  6. AZHBR-ja harton dhe propozon projekte, si dhe merr masa për krijimin e administrimin e databazave dhe të logjistikës IT, të nevojshme për funksionimin e saj, sipas standardeve të BE-së.
  7. AZHBR-ja do të fillojë të funksionojë më 1 janar 2009.
  8. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga Buxheti i Shtetit, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
  9. Rregullat dhe procedurat e funksionimit të brendshëm të AZHBR-së, si dhe ndarja e detyrave, përgjegjësive e kompetencave, ndërmjet saj dhe drejtorive rajonale të bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit (DRBUMK) e aktorëve të tjerë, të sistemit të bujqësisë dhe ushqimit, përcaktohen me udhëzim të veçantë të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
  10. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Sali Berisha